Ortodonci
.
Ortodoncia është degë e stomatologjisë e cila merret me studimin e rritjes së dhëmbëve, nofullave dhe fytyrës, por edhe me studimin dhe trajtimin e çrregulimin e kafshimit (dhëmbëve të shtrembër-kafshimit të çrregullt). Fjala Ortodonci ka origjinë nga gjuha Greke, nga fjalët ortos-drejtë ose i/e rregullt, dhe nga fjala odus-dhëmb. Keqkafshimet mund të ndodhin për arsye gjenetike, ose të shkaktohen nga faktorë të jashtëm. Ato mund të shfaqen si çrregullim i rradhitjes së dhëmbëve, raport jo i mirë i dhëmbëve ose/dhe i nofullave, crregullim i raporteve ndërmjet nofullave etj.
Edward Angle, një dentist Amerikan, i cili ishte i pari që jo vetëm e krijoi Ortodoncinë si një specialitet të ri, por gjithashtu dha një kontribut të madh në zhvillimin e mëtejshëm të ortodoncisë. Ai konsiderohet si “Babai i Ortodoncisë”.
Më vonë Ortodoncia është zhvilluar gjatë shekullit XX, e posaçerisht në vitet e para të këtij shekulli. Teknika të reja dhe materiale moderne e kanë përmirësuar të gjithë procesin, si në pikëpamjen diagnostike, ashtu edhe në atë terapeutike.Ortodoncia për fëmijë
Zgjidhja më e mirë është që fëmijët të vizitohen rregullisht te ortodonti nga mosha 7 vjeçare, në mënyrë që ai të kontrollojë dhe të japë mendim për trajtimin eventual ortodontik (nëse ka probleme). Molarët e parë të përhershëm (dhëmballa e parë) dhe incizivët (4 dhëmbët e përparmë) që zakonisht kanë dalë deri në këtë moshë mundësojnë vlerësimin e problemeve eventuale. Kur trajtimi fillohet herët, ortodonti mund të orientojë rritjen e nofullave dhe daljen e dhëmbëve të përhershëm.
Trajtimi i hershëm mund të:
– Të rregullojë gjerësinë e harkut të sipërm dhe të poshtëm
– Të krijojë hapësirë për dhëmbët e përhershëm
– Të eliminojë nevojën për ekstraksionin (heqjen) e dhëmbëve të përhershëm
– Të reduktojë shansin e impaktimit të dhëmbeve (kur dhëmbët bllokohen në nofull dhe nuk dalin)
– Të eliminojë vesin e thithjes së gishtit
– Të eliminojë gëlltitjen jo normale
– Të rregullojë problemet në të folur etj.
Planifikimi i hershëm mund tju shpëtojë buzëqeshjen në të ardhmen
Fëmijët rriten shpejt dhe mund të përfitojnë shumë nga trajtimet ortodontike me ndihmën e aparateve, të cilët e orientojnë rritjen e nofullave. Kështu mund të krijohet një bazë e mirë, e cila siguron hapësirën e duhur për të gjithë dhëmbët e përhershëm. Kjo mund të parandalojë ekstraksionin (heqjen) e dhëmbëve të përhershëm dhe mund të korigjojë dendësinë dhe/ose procedurat kirurgjike. Nëse këto situata lihen të patrajtuara deri në momentin e daljes së dhëmbëve të përhershëm, mund të ketë pasojë diskrepancë aq të madhe të nofullave sa që edhe me terapi fikse mund të jetë vështirë të arrihet rezultat i mirë.
